Skip to main content

Shkup, 20 maj 2021:1: Shkup, 20 maj 2020: Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZhT) dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) e nënshkruan një Memorandum të ri mirëkuptimi tre vjeçar, për ta vazhduar mbështetjen e sipërmarrësisë sociale të të rinjve – përmes programit UPSHIFT – ku të rinjtë do të punojnë në eko-zgjidhje në lidhje me sfidat e mjedisit jetësor dhe ndryshimet klimatike.

Programi UPSHIFT i zhvilluar nga UNICEF-i, i angazhon të rinjtë e moshës 13 deri në 19 vjeç për të hartuar zgjidhje inovative për ndonjë problem shoqëror, që ata e kanë identifikuar në bashkësinë e tyre. Programi në fjalë synon ta nxisë të menduarit inovativ dhe krijues te të rinjtë, t’i kuptojë sfidat me të cilat përballen ata dhe t’i ndihmojë të hartojnë zgjidhje inovative në formën e një produkti ose shërbimi. Për më tepër, të rinjve iu jepet mundësia të zhvillojnë aftësi sipërmarrëse, siç është: menaxhim i projektit, mendim kritik, puna ekipore, komunikim i suksesshëm dhe krijimi i miqësive të reja.

“Unë jam i kënaqur që vazhdon bashkëpunimi ynë afatgjatë me UNICEF-in, sepse përmes mentorimit dhe mbështetjes financiare që ne ofrojmë, shumë fëmijë të talentuar janë tashmë persona që në të ardhmen do të bëhen sipërmarrës të suksesshëm. Unë besoj se investimi te të rinjtë paraqet investim për një brez që do të krijojë ndryshim afatgjatë. Fondi zbaton programe të ndryshme për më të rinjtë sepse arsimi, inovacioni dhe kreativiteti janë parakushtet kryesore për zhvillimin e një të ardhme të begatë të të rinjve të vendit tonë,” tha Kosta Petrov, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.

Gjatë tre viteve të ardhshme, bashkëpunimi do të përqendrohet në sfidat e inovacionit shoqëror për ta avancuar zbatimin e angazhimeve të OKB-së dhe BE-së për mjedisin jetësor dhe klimën, si dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Kjo përfshin iniciativa në fushat si dekarbonizimi, ndryshimet klimatike, energjia, ripërtëritja e ekosistemeve, sistemet e qëndrueshme ushqimore, ekonomia qarkore dhe të tjera.

“Në parim, ndryshimi i klimës dhe degradimi i mjedisit është një çështje e të drejtave të fëmijëve. Efektet e tilla i cenojnë të drejtat më themelore të fëmijëve për ajër të pastër, ujë dhe ushqim. Ne e kemi parë që kjo është një çështje për të cilën kujdesen thellësisht fëmijët dhe të rinjtë. Prandaj jemi të kënaqur që po e vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, që përmes UPSHIFT iu sigurojmë të rinjve mundësi për të zhvilluar zgjidhje të inovacionit shoqëror dhe të sipërmarrësisë për t’i trajtuar ndryshimet klimatke dhe për ta mbrojtur mjedisin në bashkësinë e tyre,“ deklaroi Patrizia Di Xhovani, Përfaqësuesja e UNICEF-it. “Kur iu jepet mundësia të rinjve për të punuar në një ekip, ata jo vetëm që gjejnë zgjidhje, nga të cilat përfiton i gjithë komuniteti, por ata gjithashtu e zhvillojnë mendimin e rritjes, integritetin dhe etikën e shërbimit publik.”

Përmes partneritetit të ripërtërirë, FIZhT-ja dhe UNICEF-i do të organizojnë dhe drejtojnë disa cikle të programit UPSHIFT, do të ofrojnë mbështetje për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit për ta futur metodologjinë UPSHIFT në sistemin arsimor dhe përgatitjen e arsimtarëve për të përdorur teknikat e vërtetuara praktike të mësimdhënies, për ta ndihmuar secilin nxënës të përvetësojë aftësi të transferueshme.

Programi UPSHIFT bën kombinimin e punëtorive të inovacionit shoqëror me mentorim, materiale dhe financim fillestar, duke i pajisur të rinjtë me aftësi. Programi fillon me thirrje lokale për grupet fillestare të moshave 13-19 vjeçe për të hartuar një zgjidhje inovative për një problem shoqëror, që ata e kanë identifikuar në komunitetin e tyre. Një panel i përbërë nga përfaqësues të sektorit privat dhe sektorit publik i zgjedhin idetë më të mira, ndërsa ekipet drejtohen nga një mentor dhe marrin pjesë në një punëtori për projektim të mendimit me qëllim që t’i zhvillojnë idetë e tyre. Përmes zgjidhjeve të krijuara Programi siguron dobi për të rinjtë, por edhe për bashkësinë e gjerë.

Për më shumë informacion shtesë klikoni këtu.