Skip to main content

Gjatë iniciativës “Mëso për Planetin” të organizuar nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit me mbështetjen e UNICEF, me qëllim të shënimit të Ditës së planetit Tokë, 1,160 mësues dhe 34,304 nxënës morën pjesë në aktivitete mësimore mbi ndryshimet klimatike dhe veprimet klimatike. Aktivitetet mësimore përfshinin materiale mësimore dhe një kuiz, me të gjithë fëmijët që treguan gatishmëri për t’u përfshirë në veprime lokale mbi klimën.

Rezultatet e kuizit tregojnë se fëmijët dhe të rinjtë janë optimistë kur bëhet fjalë për trajtimin e ndryshimeve klimatike. Pothuajse të gjithë – 93 për qind – u përgjigjën se ata mund të bëjnë diçka për ta luftuar ndryshimin e klimës dhe se ata personalisht do të kontribuojnë duke i zvogëluar mbeturinat, duke i inkurajuar miqtë të bëjnë të njëjtën gjë dhe duke biseduar me prindërit për të qenë më të vetëdijshëm dhe më të përgjegjshëm për mjedisin jetësor.

“Në të gjithë botën jemi dëshmitarë të fuqisë së të rinjve, që kërkojnë veprim më të madh klimatik dhe edukim mbi mjedisin jetësor, gjë që është e rëndësishme për të rinjtë në vend, që të drejtojnë iniciativa nacionale”, tha Patricia Di Xhovani, Përfaqësuesja e UNICEF-it. “Përgjigjet e kuizit tregojnë se fëmijët dhe të rinjtë janë të gatshëm ta drejtojnë aksionin andaj ne duhet të krijojmë një hapësirë ​​për t’i dëgjuar ata dhe ofruar mundësitë për t’u përfshirë.”

Përgjigjet e tjera të kuizit gjithashtu theksuan se fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë për më shumë mundësi për të mësuar në lidhje me ndryshimin midis ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve klimatike dhe shkaqeve kryesore të ndryshimit klimatike.

“Kjo iniciativë ishte vërtet e dobishme për ne arsimtarët dhe, natyrisht, për nxënësit. Ne morëm informacione të reja dhe interesante mbi ndryshimet klimatike, ndërsa nxënësit u inkurajuan në mënyrë interaktive për të kontribuar në mënyrë aktive në mbrojtjen e mjedisit dhe zgjidhjen e çështjes së ndryshimeve klimatike,” deklaroi Tatjana Anakieva, mësuese në shkollën fillore “Koço Racin” në komunën e Vinicës.

“Me të vërtetë fëmijët u argëtuan dhe ishin shumë të motivuar për të bërë diçka në lidhje me ndryshimet klimatike. Unë mendoj se një material i tillë mësimor duhet të jetë pjesë integrale e procesit të arsimit dhe mësimit,” tha Renata Brezovska, mësuese në shkollën fillore “Petar Pop Arsov”, Komuna e Karposhit.

Iniciativa “Mëso për Planetin” është pjesë e Programit të UNICEF-it për mbështetjes të mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike, me mbështetje financiare nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunimit Ndërkombëtar (AIDS). Programi 3-vjeçar është një përpjekje ndër-sektoriale për ta avancuar edukimin mbi mjedisin jetësor për brezat e ardhshëm. Qëllimi i tij është t’i ndërtojë bazat e një sistemi që iu ofron fëmijëve njohuri, aftësi dhe mundësi për ta kuptuar, kujdesur dhe mbrojtur mjedisin e tyre si protagonistë aktivë kundër efekteve të dëmshme të ndryshimit të klimës.